Sunday, April 19, 2009

Imam bajalldi ose Patlixhana te mbushur

Vera mesdhetare nuk shfaqet tek asnje gatim tjeter kaq mbreterore sa tek imam bajalldi. Eshte mbi te gjitha ne shijen e domateve dhe te patllixhaneve, ku vera mesdhetare shfaqet e padiskutueshme. Nje domate e pjekur ne Zvicer, edhe pse njelloj e kuqe, nuk arrin kurre te fiksoje te njejten sasi dielli ne shijen e saj, nuk arrin kurre te kete shijen opake te nje domateje mesdhetare. Nje patlixhane serash, nuk arrin kurre te kete konsistence te njejte mishtore me sispecien e vet mesdhetare, nuk arrin dot t'i shmanget athtesise se artificiales. Nje vere mesdhetare pa imam bajalldi, cfare vere eshte kjo?

Per kater persona:

dy-tre kokrra te medha qepesh
4-5 thelbinj hudhre
3-4 domate te pjekura mire
4 patlixhana te medha
Per jo vegjetarianet:
500g mish te prere ne kubike te vegjel
vaj ulliri
kripe
piper i zi
majdanoz



Ndajini patlixhanet ne gjysem dhe, me nje luge te vogel, hiquani tulin. Kete te fundit, priteni ne copa te vogla dhe lereni menjane per me vone. Sipas deshires, mund t'u jepni patlixhanave nje te skuqur te lehte.

Ne nje tenxhere te madhe hidhni me bollek vaj ulliri, dhe kur ky te jete nxehur, hidhni per t'u kaurdisur qepet e grira holle dhe hudhrat. Kur qepa te kete marre nje ngjyre te lehte te arte, shtoni copat e mishit. Kaurdisini mire deri sa uji qe leshon mishi te jete avulluar. Ata qe e duan vegjetariane, le te kalojne direkt tek hapi tjeter.

Shtoni domatet e prera holle dhe majdanozin e grire. Domatet, perpara se t'i grini, hidhini ne uje te nxehte per disa minuta derisa t'u hapet cipa. Hiqeni cipen e domates me thike dhe tulin priteni ne copa te vogla. Eshte mire ta shmangni cipen e domates sepse eshte pak e sikletshme gjate ngrenies dhe aspak estetike ne gjelle. Shtoni, se fundmi, edhe tulin e patlixhaneve qe hoqet menjane ne fillim. Lerini te ziejne te gjitha se bashku per nja 10 minuta, shtoni kripen dhe piperin e zi. Hiqeni nga zjarri, lereni te ftohet pak dhe filloni dhe mbushni patlixhanat. Tepricen shperndajeni midis patlixhanave dhe siper tyre.

Futeni ne furre, ne 220°C dhe piqeni deri sa te marri nje kore te lehte te kuqe siper.

Ju befte mire!