Thursday, August 25, 2011

Turli

Një nga gjellët që shkon mirë me ditët e nxehta të verës, si këto që po kalojmë, është turlia. E lehtë, e shijshme dhe e thjeshtë për t'u gatitur. Kam përdorur disa receta turlie por më e mira më duket kjo që po paraqes, sekreti i së cilës qëndron tek koha e tejzgjatur e gatimit.


Koha e nevojshme
20 minuta për larjen, qërimin dhe prerjen e zarzateve
70 minuta për gatimin


Për katër persona
2 qepë - priten hollë
1 hudhër e madhe - pritet në feta të holla
1 spec i vogël djegës i kuq - pritet në feta të holla; sipas dozës së djegësisë që ju pëlqen, mund ta përdorni të tërën, me apo pa fara, apo edhe vetëm gjysmë, me apo pa fara. Unë preferoj të përdor gjysmë speci djegës pa fara. Kjo sasi i jep një shije shumë të lehtë djegëse, që zakonisht është e pranueshme edhe nga fëmijët dhe të rinjtë. 
2 kungulleshka - u qërohet lekura; priten në kubikë të vegjël
2 patëllxhana - lëkura qërohet ose jo, sipas dëshirës; priten në kubikë të vegjël
2 speca - priten në kubikë të vegjël
4 patate mesatare - u qërohet lekura; priten në kubikë të vegjël
2 domate - u qërohet lekura, për këte vërini për disa minuta në ujë të valuar, kështu lëkura hiqet më kollaj
1/2 lugë gjelle sheqer, kripë, piper të zi, dy lugë salce domateje, 90 ml vaj ulliri


Pasi të keni përgatitur të gjitha zarzavatet si më sipër, merrni një tenxhere të madhe e të thellë, hidhni në të gati gjysmën e vajit, qepët dhe hudhrën dhe kaurdisini së bashku deri sa te marrin një ngjyrë të verdhë, shtoni specin dhe kaurdisini për pak sekonda. Shtoni pastaj specat, patëllxhanat dhe patatet dhe kaurdisini për rreth 5 minuta. Shtoni pjesën tjetër të vajit. Kaurdisni për 5 minuta. Shtoni kungulleshkat dhe vazhdoni kaurdisjen edhe 5 minuta. Shtoni në fund domatet, salcën, kripën, piperin dhe sheqerin. Kaurdisini mirë të gjitha bashkë, shtoni rreth 200 ml ujë (ose aq sa të mos arrijë të mbulojë zarvatet) dhe lerini të ziejnë për rreth 30 minuta (temperatura mesatare). Pas kësaj, kalojeni turlinë në një tavë të thellë dhe aq të madhe saqë shtresa e turlisë të mos e kalojë 2 cm. Përpara se ta kaloni turline në tavë, provojeni edhe njëherë për kripë, shtoni kripë aq sa mendoni se duhet dhe përziejeni mirë me zarzavatet. Pastaj futeni tavën në furrën e paranxehur dhe lerëni në temperaturën 220°C për rreth 30 minuta.

Turlia mund të shërbehet me bollgur ose couscous, por mund të shoqërohet edhe thjeshtë me bukë (pak e thekur ose taze e sapo nxjerrë nga furra).


Ju bëftë mirë!

Ps: Në foto, turlia para se të futej në furrë.